Deputeti i Nismës viziton minierën e Artanës ku vdiqën dy minatorë

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, që njëherit është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike, ka vizituar minierën në Artanë, ku sot tragjikisht humbën jetën, Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifaj, si pasojë e shembjes së dheut.

Shala përmes një postimi të tij në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se gjatë kësaj vizitë ne minierë, është takuar me udhëheqjen e kësaj miniere dhe bordin e KPMM-së, ku është njoftuar rreth ngjarjes së sotme tragjike. Shala në emër të Komisionit, u ka shprehur ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të minatorëve që humbën jetën në këtë minierë.

Po ashtu, deputeti Shala theksoi, se si Komision janë të zotuar që të ndikojnë në funksion të përmirësimit të kushteve dhe rritjes së sigurisë në punë të minatorëve.

Postimi i plotë i deputeti Shala:

“Sot, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike, bashkë edhe me anëtarin e këtij komisioni, Ferat Shala, vizituam minierën në Artanë, ku sot tragjikisht humbën jetën, Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifaj, si pasojë e shembjes së dheut.

Takuam udhëheqjen e kësaj miniere dhe bordin e KPMM-së, ku u njoftuam rreth ngjarjes së sotme tragjike që na ka prekur të gjithëve. Në emër të Komisionit i shprehëm ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve që sot kanë humbur bashkëpunëtorët e tyre. Gjithë të lënduarve ju uroj shërim të plotë.

Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike, zotohet se do të ndikojmë në funksion të përmirësimit të kushteve dhe rritjes së sigurisë në punë, në veçanti në minatorëve në vendin tonë.”