Hiqet tarifa për dezinfektimin e mauneve në pikat kufitare

Kosova heq tarifën për dezinfektimin e mauneve në pikat kufitare

Nuk ka zgjatur më shumë se një ditë tarifa e vënë nga Qeveria e Kosovës, për dezinfektimin e kamionëve në pikat doganore.

Me hapjen e pikave kufitare, të hënën, shoferët që hynë në Kosovë u përballën me një tarifë të re, atë të dezinfektimit të automjetit, si masë kundër koronavirusit, që varironte 17 deri në 22 euro për kamionët.

Por, pas revoltës së qytetarëve, radhëve të gjata të krijuara në pikat doganore dhe reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti “veprim të çuditshëm të Albin Kurtit”, ministria e Brendshme e Kosovës ka vendosur të heqë këtë tarifë.

“Pezullohet kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së COVID-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e MPB-së të Kosovës.