I nominuari për kryeministër e quan “flijim për të mirën e vendit” rastin e dy të vdekurve në minierë

Avdullah Hoti e quan “flijim për të mirën e vendit” rastin e dy të vdekurve në minierë.

I mandatuari për kryeministër nga LDK’ja, Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së dy minatorëve në minierën e Artanës.

Hoti ka shkruar në Facebook se një inxhinier dhe një xehtar u shndërruan në shembull flijimi për të mirën e vendit.

“Të gjithë jemi tronditur nga lajmi i kobshëm i shuarjes së jetës së dy bashkëqytetarëve tanë, z. Idriz Gërbeshi dhe z. Haki Arifaj, si pasojë e shembjes së dheut në minierën e Artanës.

Sot, një inxhinier dhe një xehetar yni, në vendin e punës, u shndërruan në shembull flijimi për të mirën e vendit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Minatorët të cilët kanë mbijetuar tashmë janë nxjerrë nga miniera, ndërsa nga Forca e Sigurisë së Kosovës do të nxirren edhe dy trupat e pajetë.

Punëtorët që humbën jetët në minierë janë një xehetar dhe një inxhinier, të moshave 50 dhe 51 vjeç.