Kryetemë e takimit të 4 shtatorit është ekonomia, s’diskutohet për njohje reciproke Kosovë-Serbi

Ekonomia, kryetemë e takimit të 4 shtatorit, s’diskutohet për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Njohja reciproke të cilën e ka proklamuar në vazhdimësi kryeministri Avdullah Hoti, nuk do të jetë temë në takimin e 4 shtatorit në Washington, me palën serbe.

Në zyrën e nikoqirit të takimit, Robert O’Brien, i cili është Këshilltar për Siguri Kombëtare kanë thënë se ekonomia është kryetema rreth së cilës do të zhvillohen negociatat.

Definimi i rendit të ditës është përmendur si arsyeja e shtyrjes për dy ditë të takimit që ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator.

“Koha” merr vesh se palëve do t’u kërkohet t’i shndërrojnë në marrëveshje letrat për shprehje të interesit në ndërtimin e autostradave dhe hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, të cilat ishin arritur në mars të këtij viti, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Ullyout, i ka thënë Kohës se besojnë që përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes.

“Bisedimet u shtynë për dy ditë nga 2 shtatori për shkaqe të agjendës. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë këtu krijimi i vendeve të punës dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes”, ka thënë O’Brien, Zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-s.

Në qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar për temat që do të diskutohen në takimin e Washingtonit.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që përmendi mundësinë e shtyrjes së takimit pasi, siç ka thënë ai, ka indikacione se nëse ndodh diçka e rëndësishme, në takim do të marrë pjesë edhe presidenti Donald Trump. Zyra e Këshillit të Sigurisë nuk ka ofruar ndonjë përgjigje, kur është pyetur rreth mundësisë së pjesëmarrjes në takim të Trumpit.

Muaj më parë, Përfaqësuesi Special i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi ka paralajmëruar se versioni kinez i “Mini-Schengenit” për krijimin e një zone ekonomike synohet të aplikohet edhe në rastin Kosovë-Serbi.

Por, takimi i ftuar nga Grenell më 27 qershor kishte dështuar të mbahej, pasi ishte njoftuar publikisht nga Gjykata Speciale se ndaj presidentit Thaçi është deponuar një aktakuzë për kr.ime lufte.