Nesër Qeveria diskuton lehtësimin e masave ndaj COVID-19

Të hënën Qeveria diskuton lehtësimin e masave ndaj COVID-19.

Në 457 ka shkuar numri i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë. Vetëm në 24 orët e fundit 10 persona të konfirmuar me virus kanë përfunduar me fatalitet.

Derisa 111 raste të reja janë konfirmuar me koronavirus, nga 448 mostra të testuara gjithsej.

Rastet pozitive janë nga Komuna Prishtinës 25 raste, ajo e Pejës 13, Komuna e Gjilanit 10 raste, Komuna e Gjakovës dhe ajo e Mitrovicës me nga 7 raste, raporton KOHA.

Ani pse pati një rënie të lehtë të të infektuarve gjatë ditëve të fundit, numër i lartë i të vdekurve ka vazhduar të jetë gjatë kësaj jave.

Që nga e hëna e deri këtë të diel, 66 persona kanë vdekur nga COVID-19, e janë infektuar gjithsej 1 mijë e 32 persona.

Por, pas rënies së numrit të të infektuarve, qytetarët presin nga Qeveria e Kosovës që t’i rishqyrtojë masat dhe ta largojë kufizimin e lëvizjes.

E pikërisht masat kundër pandemisë COVID-19 është një nga temat që do të diskutohen në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Shëndetësisë e atij të Arsimit gjatë së hënës me kryetarët e komunave.

Nga gjithsej 47 mijë e 355 mostra të testuara deri tani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pozitivë me Covid-19 kanë rezultuar 12 mijë e 448 persona, prej të cilëve 8 mijë e 505 persona kanë arritur të shërohen.