Prokuroria nuk jep detaje për hetimet as një muaj pas vdekjes së Agon Musliut

Një muaj nga vdekja e Agon Musliut, Prokuroria s’jep detaje për hetimet.

Nesër bëhen një muaj nga dita kur 26 vjeçari, Agon Musliu vdiq në Qendrën e Studentëve.

Por, ende nuk dihet se çka e shtyri të riun nga Gjilani të kërcejë nga konvikti ku po mbahej në karantinë.

Në Prokurori nuk kanë pranuar të japin detaje rreth këtij rasti, duke u thirrur në ndjeshmërinë e rastit.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, i ka thënë Gazetës Express se për shkak të veprimeve hetimore, nuk mund të japin detaje në këtë fazë.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprimeve hetimore të cilat është duke i ndërmarrë Prokuroria Themelore në Prishtinë, në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna të tjera, përpos asaj që rasti është në hetim”, ka thënë Ulaj.

Një ditë pas vdekjes, babai i 26-vjeçarit, Naim Musliu ka deklaruar se djali i tij ka pasur probleme shëndetësore.

Sipas tij, fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Naim Musliu thotë se shteti ia morri nga duart djalin e vetëm që kishte dhe se nuk e lejoi ta shihte.

Ai ka rrëfyer edhe për përpjekjet e shumta që ta shihte të paktën dhe tregon se si e kishte pritur para konvikteve autobusin në të cilin gjendej Agoni, djali i tij.

Por thotë se nuk kishte arritur ta shihte meqë autobusi kishte lëvizur me shpejtësi brenda oborrit të Qendrës Studentore

“Djalin tem unë kam dalë me e marrë, shteti ma ka marr prej duarve të mija. Përgjegjës kryesor për këtë punë për fillim në aerodrum është ministria e Shëndetësisë, Arben Vitia. Sa i përket shëndetësisë. Djali pastaj është nisur për karantinë, e mora vesh nga polici, dhe me një shpejtësi të madhe, desha të mbërrijë me kohë e të çmallem me djalin tim. Tek dera e konvikteve e kam parkuar makinën, dhe i kam pyetur nëse ka mbërritur një autobus”, ka thënë Musliu.

Pas këtij rasti, Ministri i Shëndetësië, Arben Vitia ka thënë se personalisht e ka menduar dorëheqjen.

“Si Arben Vitia qysh mbrëmë kur e kam marrë lajmin, kam menduar dorëheqjen. Edhe në momentin kur po flas, si Arben Vitia, po e mendoj një gjë të tillë. Por po flas si ministër i Shëndetësisë që kam përgjegjësi shumëdimensionale, e një nga dimensionet do të jetë zbardhja e këtij rasti”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë thirrje nga çdo institucion të kryejë hetime.

“Ne do të bëjmë thirrje të bëhen hetime nga drejtësia, por edhe hetim parlamentar”, ka thënë Vitia para gazetarëve.

Edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ka kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e vdekjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve, derisa i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta trajtojë me prioritet këtë rast, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka thënë se të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim.

“Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka preferuar të flasë për shkak se është sulmuar nga prindi, duke kërkuar që të presin hetimet e organeve të drejtësisë.

“Nuk kam preferuar të flasë për këtë gjë, pasi që u sulmova nga prindi. Le të flasin organet e drejtësisë. Por do t’i kthehemi kësaj teme”, tha Kurit.

Ai ka kërkuar që të bëhen hetime nga ana e Prokurorisë që të qartësohet kjo vdekje.