Tha se ndryshoj mendje pas takimit me presidentin dhe kreun e AAK-së, KDI i reagon ashpër Haxhi Shalës

Deputeti i Nismës Haxhi Shala se pas takimit që kishte pasur mbrëmë në shtëpinë e tij me presidentin Thaçi dhe kreun e AAK-së Haradinaj, është bindur që të votojë Qeverinë Hoti.

Pas kësaj deklarate ka reaguar KDI.

“#KDI shpreh shqetësim lidhur me deklaratën publike të deputetit Haxhi Shala në seancën e sotme për ndryshimin e qëndrimit të tij për votimin e Qeverisë ‘Hoti’. Deputeti Shala deklaroi që “pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish- kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”, thuhet në reagim.

Nga KDI kanë kujtuar që Kushtetuta e Kosovës thotë se deputetët janë përfaqësues të popullit, e nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues.

“Rikujtojmë që Kushtetuta e Kosovës (neni 70, pika 1) lidhur me mandatin e deputetëve thotë që “deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, thuhet në reagim. /ORAinfo/